Rama për “Tuttosport”: Juve është mishërimi i shpirtit fitues, në qeverinë time duhet Bonuçi e Kielini

Edi Rama është personi më i simpatizuar në Itali në këto dy ditët e fundit. Kjo për arsye se kryeministri i vendit tonë ka vendosur të dërgojë 30 mjekë dhe infermierë për të ndihmuar përtej Adriatikut në luftën e frikshme kundër Covid-19, që në Itali ka shkaktuar mbi 10 mijë viktima. Një nga gazetat më të mëdha italiane, “Tuttosport” është hapur me foton e kryeministrit të vendit, i cili ka dhënë një intervistë të gjatë duke prekur edhe Juventusin, skuadrën e tij të zemrës.

ITALIA MIRËNJOHËSE NDAJ JUSH- Unë e pranoj me nder dhe përulësi, por me sinqeritet të plotë duhet t’ju them se ne, shqiptarët, jemi ndier pjesë e Italisë që nga kohërat e vjetra. Ky gjest nuk është thjesht solidaritet mes popujve, por familjaritet, nëse mund ta përcaktoj kështu, midis dy fqinjëve, të cilët jetojnë në të njëjtin oborr.

E SHKUARA SI SPORTIST- Kam luajtur basketboll, kam qenë organizator. Idhulli im ishte Dino Menegin. Sporti më mësoi shumë në aspektin e mentalitetit dhe strategjisë. Gjithmonë ndiqja skuadrat dhe trajnerët e shkëlqyer për të përmirësuar veten. Kam mësuar shumë dhe jam mirënjohës për mjaft prej tyre, si Hoze Murinjo dhe klasi i tij autentik.

TIFOZ I JUVENTUSIT- Kam mësuar shumë nga Juventusi, me të cilin jam lidhur që kur isha fëmijë. Në periudha të ndryshme, ka qenë një shkollë për mua, se si të bëj një grup për të fituar. Juve është për mua mishërimi i shpirtit fitues, edhe kur parashikimet e sensit të përbashkët thonë të kundërtën. Kam një uniformë të kësaj skuadre, që më ka ndihmuar në stërvitjen time mendore.

SHKURTIME PAGASH TE JUVENTUSI- Kjo është forca e asaj fryme, për të cilën thashë më parë dhe që e bën Juventusin një fe, jo thjesht një ekip i shkëlqyer futbolli. Në këto ditë nuk jam dëgjuar me presidentin Andrea Anjeli. Jemi takuar një herë, por nuk e njohim njëri-tjetrin. Është një gjë e shkëlqyeshme, sepse të jetosh me mitin e Avokatit është me të vërtetë një ndërmarrje e madhe, që kërkon vizion të shkëlqyeshëm dhe bindje të jashtëzakonshme. I heq kapalen!

TAKIMI ME RONALDON DHE BUFON- Në Romë takova Bufon dhe Kristiano Ronaldon. Burra me një zemër të madhe, falë kujtesës gjithmonë shumë të fortë për të kaluarën e tyre, kur ishin askushi. Lojtari im i preferuar ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë Dino Xof. Qeveria ime do të donte Kielinin për Ministër të Brendshëm dhe Bonuçin për Ministër Mbrojtje. /vipsport.al/