Rama dhe lufta kundër COVID-19: Europa duhet të veprojë si Milani i Sakit

Kryeministri shqiptar Edi Rama, u intervistua sot nga Sky TG 24 rreth nismës për të dërguar mjekë dhe infermierë në Itali për të ndihmuar në luftën ndaj pandemisë. Nisma është përshëndetur nga të gjithë dhe kryeministri vetë ka shpjeguar se ishte diçka që duhej berë.

Ndërkohë, ai është i qartë se po nuk u veprua bashkërisht, kjo është një luftë që do të sjellë pasoja, jo vetëm për një shtet, por për të gjithë Europën.

“Sigurisht që nuk do të ndryshojmë fatet e luftës me 30 mjekë dhe infermierë, por ishte diçka krejtësisht natyrale për ta bërë pasi po luftojmë edhe këtu. Por të luftosh në Itali është njëlloj si të luftosh në shtëpinë tonë. Shpërblim? Nuk është fjala e duhur pasi ne nuk mund të shpërblejmë kurrë atë që Italia dhe italianët kanë bërë për ne në kohë shumë të errëta. Është thjesht të bëjmë detyrën tonë si anëtarë të një familje që është e jona. Shumë shqiptarë janë tashmë të integruar si pjesë e familjes italiane.

Armiku i padukshëm na ka sulmuar të gjithë në të njëjtin moment dhe duhet jo vetëm të mbrohemi, por edhte kundërsulmojmë, këtë duhet ta bëjë e gjithë Europa, pasi nuk mund të fitohet vetëm në mbrojtje. Europa duhet të kopjojë Milanin e Sakit, nuk mundet vetëm të mbrosh, duhet të jemi të gjithë një skuadër ku nuk ka yje që bëjnë sipas mendjes së tyre, por ku të gjithë duhet të mbrojnë dhe të sulmojnë. Në Europë të gjithë po bëjnë katenaçion e tyre, por kështu nuk shkohet në asnjë anë. Duhet edhe të luftojmë atë që po sjell virusi, pra një situatë ekonomike që nuk mund të mbahet vetëm me bonuse apo ndihmat e shtetit. Duhet të ulemi në një tavolinë dhe të imagjinojmë kundërsulmin dhe të dalim nga ky rreth vicioz”, tha Rama. /vipsport.al/