Presidenti i Juventusit u shkruan 3 klubeve të Superiores: Do të jetë sfida më e madhe që kemi përballuar

Pandemia që ka pushtuar të gjithë botën ka vënë në rrezik serioz të ardhmen e futbollit në Europë, pasi klubet po përballen me një krizë të madhe financiare si pasojë e ndalimit të të gjitha aktiviteteve. Kjo ka shtyrë presidentin e Juventusit, Andrea Anjeli, që t’u shkruajë të gjithë anëtarëve të ECA, organizatës që klubeve europiane, rreth rrezikut me të cilin përballen si pasojë e kësaj situate.

“Koronavirusi përfaqëson një kërcënim të ekzistencës për klubet e futbollit europian. Jemi të gjithë drejtues përgjegjës për mirëqënien dhe mbarëvajtjen e klubeve që drejtojmë dhe që duhet të përballohen me një kërcënim të vërtetë të ekzistencës. Meqë futbolli është i ndalur, janë edhe të ardhurat tona nga të cilat varemi për të paguar lojtarët tanë, personelin dhe kostot operative.

Askush nuk është imun dhe koha është thelbësore. T’u japim fund shqetësimeve tona do të jetë sfida më e madhe që loja jonë dhe sistemi i futbollit kanë përballuar ndonjëherë. Po zhvillojmë bisedime aktive mbi të cilat duhet të vendoset licencimi nga UEFA ose Fair Play Financiar duke marrë për bazë krizën aktuale”, shkruante ndër të tjera Anjeli në letrën që u drejtohej anëtarëve.

“ECA po punon mbi strategji realiste për të rifilluar të luhet futboll në nivel kombëtar dhe europian dhe për të ndihmuar që të menaxhohet financa e klubeve në këtë periudhë krize sociale dhe ekonomike”, theksohej në këtë mesazh.

Një letër e tillë u ka mbërritur edhe tre klubeve shqiptare që janë pjesë e ECA. Anëtar me të drejta të plota është klubi i Kukësit, ndërsa dy klube të tjera të anëtarësuara janë edhe Vllaznia dhe Partizani, të cilat pritej që të merrnin pjesë në Kongresin që u anulua për shkak të shpërthimit të koronavirusit. /vipsport.al/