Portieri i Juves zbulon prapaskenat: Ronaldo u ankua dy muaj, por na bleu të gjithëve nga një iMac

Kush gabon duhet të paguajë. Ky ishte rregulli i vendosur nga ish-trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, i cili kishte bërë të qartë se lojtarët duhet të paguanin për çdo shkelje që bënin dhe që ndikonte te pjesa tjetër e ekipit. Këtë e ka zbuluar Vojiçeç Shçzesnji, portieri i Juventusit, i cili ka treguar se “viktima” më e famshme e rregullave të trajnerit ishte pikërisht Kristiano Ronaldo.

Ky i fundit u detyrua t’u blinte të gjithëve nga një iMac pasi u ndëshkua me karton të kuq në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve ndaj Valencias në vitin 2018. Alegri kishte bërë të qartë për të gjithë se kush merrte karton të kuq, ishte një nga ata që duhej të paguanin për të shlyer gabimin.

“Po, tani të gjithë ne kemi një iMac. U desh shumë kohë për ta marrë, pasi ai nuk e pranonte atë karton të kuq dhe insistonte lart e poshtë se nuk kishte bërë asgjë të gabuar. Iu desh pak kohë, por pas 2 muajsh ankesa, të gjithë morëm nga një iMac”, tha Shçzesnji.

Edhe vetë portieri kishte rënë viktimë e këtij rregulli të vendosur nga Alegri, pasi kishte shkuar me vonesë në stërvitje. “Unë mendova se ishte e martë, por në fakt atë ditë ishte e mërkurë. Alegri më telfonoi dhe më tha se të gjithë ishin në fushë. Kur arrita gjysëm ore me vonesë, të gjithë thanë “tani do të marrim dhurata”. Unë përfundova duke u blerë të gjithëve kufje”, tregoi portieri polak. /vipsport.al/