Peripecitë e Adebajor. Niset nga Paraguaji drejt Togos, por përfundon i izoluar në Benin

Jeta dhe karriera e Emanuel Adebajor ka qenë gjithmonë shumë e veçantë, me sulmuesin togolez që është bërë shpesh protagonist i episodeve të ndryshme si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Ndaj ndoshta pakkush është çuditur kur në periudhën e shpërthimit të koronavirusit, ai është bërë protagonist i një peripecie të mirëfilltë ndërsa mundohej të kthehej në shtëpi.

Adebajor firmosi pak kohë më parë me skuadrën e Olimpia në Paraguaj, duke u munduar që të mbyllë atje karrierën e tij që e ka parë të bëhet pjesë e disa prej klubeve më të njohura në botë, mes të cilëve Arsenal, Mançester Siti, Real Madrid e Totenhem. Por me shpërthimin e pandemisë, ai u mundua që të kthehej me shpejtësi në shtëpi, për të kaluar këtë periudhë pranë familjes në Togo.

Megjithatë, ai nuk e kishte kuptuar mirë se si ishte situata dhe ligjet që ishin vendosur në vende të ndryshme për të ndaluar përhapjen. Pasi mbërriti tranzit në Benin, ai u ndal nga forcat e rendit dhe u dërgua menjëherë në karantinë, ku do të kalojë 15 ditët e ardhshme, para se të lejohet që të udhëtojë drejt Togos për t’iu bashkuar familjarëve të tij. /vipsport.al/