Pandemia prish karrierën e Muriqit, klubi vendos të mos e shesë sulmuesin: Nuk është koha

Pandemia që ka shpërhtyer në gjithë globin do të ndikojë shumë rëndë në merkaton e futbollistëve duke ulur vlerat e tyre në treg dhe një nga ata që do ta ndjejë në mënyrë të rëndësishme këtë është Vedat Muriqi. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës ka shkëlqyer me fanellën e Fenerbahçes dhe në zyrat e klubit po rreshtoheshin ofertat e skuadrave të mëdha europiane për të.

Por gjithçka ndryshon me koronavirusin, pasi klubet tani nuk kanë më të ardhura për të bërë blerje të rëndësishme e kësisoj, edhe klubi i Fenerbahçes ka kuptuar se nuk do të përfitojë shumë nëse nxjerr në treg në verë golashënuesin e saj më të mirë.

“Nuk është koha më e mirë për të shitur tani, Muriqi nuk do të shitej për vlerën e tij reale nëse do të transferohej në verë”, kanë shpjeguar për mediat turke persona brenda klubit të Fenerbahçes. Kjo bën të qartë se sulmuesi duhet të përgatitet për një tjetër sezon në Turqi, duke shpresuar që atëherë tregu i lojtarëve të jetë normalizuar. /vipsport.al/