Një pandemi që bllokoi rinovimin, e ardhmja e pasigurt e “Pitbullit” të Kombëtares

Pandemia ka bllokuar futbollin thuajse në të gjithë botën dhe jo vetëm atë të luajtur, por edhe atë të tavolinave. Shumë lojtarë që kanë qenë në bisedime për të rinovuar kontratat e tyre tani janë të pasigurt për të ardhmen dhe një prej tyre është edhe mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Amir Abrashi.

Lojtari, kur ka qenë në formë të mirë sportive dhe pa u shqetësuar nga dëmtimet, ka qenë një nga pikat kyçe të Frajburg. Por pikërisht dëmtimet e njëpasnjëshme  e shpeshherë afatgjata bënë që klubi të mos ulej me të në tavolinën e bisedimeve pa u mbyllur ky sezon, i fundit në kontratën që kishin me mesfushorin që ka marrë nofkën “Pitbulli”.

Me bllokimin e kampionatit dhe të fondeve për shumë klube, tani edhe rinovimi i tij mbetet në vendnumëro. Edhe pse Abrashi do të dëshironte të vazhdonte te Frajburg, mbetet të mësohet qëndrimi i klubit dhe nëse ata mund të përballojnë mes krizës financiare të rinovojnë me futbollistë të ndryshëm që mbyllin kotratat, apo nëse do të zgjedhin t’u besojnë prodhimeve të akademisë që kanë kosto më të ulët sa për të përballuar goditjen e parë si pasojë e koronavirusit. /vipsport.al/