Një i infektuar edhe te Atalanta, në fushë përkrah Gjimshitit në Champions

Shpërthimi i COVID-19 në Itali e sidomos në qytetin e Bergamos ka shkaktuar shumë të infektuar e viktima. Mes të infektuarve tashmë rezulton të jetë edhe një futbollist i Atalantës, i pari nga kjo skuadër e cila ka luajtur dy ndeshje të Ligës së Kampioneve të cilat janë vlerësuar si vatra infeksioni në Itali dhe Spanjë.

Klubi bëri të ditur se portieri Marko Sportielo, titullar përkrah Berat Gjimshitit në ndeshjen e kthimit më 10 mars ndaj Valencias në Spanjë, ka rezultuar pozitiv ndaj testit edhe pse nuk ka shfaqur asnjë prej simptomave të infeksionit. “Marko aktualisht është asimptomatik. Karantina parandaluese, të cilës i ishin nënshtruar Marko dhe të gjithë anëtarët e ekipit të parë, do të mbyllet më datë 27 mars”, shkruante klubi në njoftim.

Ndeshja e parë mes Atalantës dhe Valencias cilësohet nga të gjithë si burimi i infeksionit masiv në qytetin e Bergamos ku la mijëra të vdekur. Ndërkohë, në ndeshjen e kthimit në fushën e lojës ka pasur lojtarë të Valencias të cilët ishin të infektuar. /vipsport.al/