Ngo: Pas izolimit do hidhem nga avioni, e kam ftuar Sterling në Tiranë

Majkëll Ngo është një personazh te Tirana, por edhe në Superioren shqiptare. Sulmuesi karizmatik, ka tri sezone në vendin tonë dhe është një pikë referimi për skuadrën 24 herë kampione. Ngo është duke e kaluar periudhën e karantinës në Tiranë, por duket mjaft i stresuar nga kjo periudhë. Në prononcimin e dhënë në “Fun Zone”, në “Supersport”, majkëll Ngo ka pohuar: “Jam i stresuar se izolimi pa futboll është i mërzitshëm, duke qendruar gjithë ditën në shtëpi. Jam në Tiranë, nuk arrita të marr një fluturim për në Londër se u mbyllën kufijtë. Videot me këngë? Kur je në karantinë fillon i këndon vetes nëse je i mërzitur”.

Axhenda

I pyetur se si e kalon kohën në shtëpi, Ngo ka shtuar se: “Dita tipike? Zgjohem, bëj dush, luaj Play Station.”

Pezullimi

“Ndalesa ishte shumë keq, se nga ana fizike nuk ishte aspak e mirë. Psikologjikisht jam në një vend të huaj, e ndjej mungesën e futbollit dhe kur të kthehem dua të jem sa më parë në fushë si ishim. Ndoshta mund të jetë problem me lojtarët më të rinj”.

Trajnerët

“Kam pasur marrëdhënie të mira me ish-trajnerët, ndoshta ka pasur situata me trajnerë si Mema e Ahmataj, por që kanë kaluar. Mema është një person shumë i mirë, i cili donte të instalonte filozofinë e tij në ekip. Me Egbo jemi të lirë të luajmë, më kompaktë si skuadër kur mbrojmë, ne jemi më kompakt po ta shihni në ndeshje”.

Titulli

“Do të jetë një start i mirë, nëse e fiton Tirana këtë vit do të harrohet çdo vështirësi e këtij viti. Nëse ne fitojmë kampionatin në Shqipëri do të ndjehemi më të rëndësishëm. Kam familjen time në Angli, por nga perspektiva e skuadrës, çfarë Tirana nënkupton për fansat, ka më shumë rëndësi”.

Pas izolimit

I pyetur se çfarë dhe si do ta festojë Ngo sapo të kalojë kjo situatë, duke qenë se anglezi nuk është mësuar që të bëj një jetë të izoluar, ka shtuar: “Do hidhem nga avioni e të ulëras: “Jam i lirë”.

Sterling

Siç dihet, Majkëll Ngo është rritur në Akademinë e Liverpulit, por ka miqësi me Rrahim Sterling, lojtarin e skuadrës së Mançester Sitiit dhe përfaqësueses së Anglisë. “E kam ftuar të vijë disa herë por meqë Mançester Siti luan shumë ndeshje, është shumë e vështirë. Edhe në ndeshjet e kombëtares ai është gjithmonë. Ndoshta mund të vijë në verë, por ndoshta ka ndeshje këtë vit”, – tha Majkëll Ngo në fund të prononcimit.

/VipSport.al/