Ndihmësi i Rejas: Nuk më çudit zemërgjerësia shqiptare, janë një popull i jashtëzakonshëm

Në Itali ka lënë shumë mbresa gjesti shqiptar për të ndihmar me mjekë dhe infermierë në mes të krizës të koronavirusit. Por për Xhixhi Febrarin, ndihmësin e Edi Rejas, asgjë nuk është një surprizë. Ai ka treguar për mediat italiane se e priste një gjë të tillë nga një popull i lidhur ngushtë me Italinë.

“Prej një viti jam përgatitësi atletik i kombëtares shqiptare. Kur më thirri Reja me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë, nuk mund t’I thosha “jo”. Kam gjetur atje persona të shkëlqyer, të cilët të lënë të punosh, të cilët dinë të njohin ata që punojnë për të mirën e lëvizjes futbollistike.

Jo, nuk jam çuditur nga zemërgjerësia e popullit shqiptar. Rrallë, në kaq vite karrierë, kam gjetur një zemërgjerësi të tillë njerëzore. Të jesh italian në Shqipëri është një vlerë e shtuar, na duan, na respektojnë dhe na dëgjojnë. Janë mirënjohës për atë që kemi bërë për ta në momentet e vështirësisë dhe ndjehem aq mirë sa më duket sikur jam në Kastenedolo, në shtëpinë time, sikur të isha gjithmonë pjesë e tyre”, tha ai.

“Para kësaj emergjence, unë dhe Reja kalonim në Shqipëri 10 ditë në muaj, edhe kur nuk kishte ndeshje. Federata na ka besuar një projekt të madh për të rritur këtë lëvizje, unë për shembull kam hyrë në kontakt me 4 universitete shqiptare për kurse për studentët, me vëmendje të veçantë ndaj atyre që do të dëshironin të punonin në futboll.

Kur rifillon gjithçka? Nuk mbetet veçse të respektojmë rregullat dhe të qëndrojmë në shtëpi. Por jam shumë i lumtur që kjo emergjencë ka përforcuar lidhjen mes nesh dhe Shqipërisë, që mjekët dhe infermierë të atij vendi kanë vendosur që t’i japin një ndihmë edhe Breshias tonë. Jam i lumtur, por jo i çuditur, po flasim për një popull me të vërtetë të jashtëzakonshëm dhe me shumë cilësi njerëzore, më besoni”, deklaroi Febrari. /vipsport.al/