Ndërprerja e kampionatit ndez edhe më shumë zërat për Kumbullën, klubi anglez bën gati milionat

Prej disa javësh, futbolli në Europë është ndalur. Megjithatë, këtu bëhet fjalë vetëm për atë që luhet në fushë, pasi jashtë saj, merkato, duket se falë kësaj ndërprerje është ndezur më shumë. Klubet po përgatisin planin për sezonin e ardhshëm, ndërsa kanë pikasur se ku do të kërkojnë përforcimet e tyre. Në merkato janë edhe futbollistët shqiptarë, teksa një nga më të lakuarit është Marash Kumbulla.

20-vjeçari ka mahnitur me performancat e tij me klubin e Veronës, edhe pse është në vitin e tij të parë në nivelin më të lartë të futbollit italian, Serie A.  Interi, Napoli dhe Lacio janë në një garë për të siguruar shërbimet e tij, ndërsa nga Premier League interesohet Çelsi. Pikërisht, këta të fundit kanë bërë një hap para dhe kanë shprehur gatishmërinë për të paguar 23 milionë euro, duke iu afruar shumë kërkesës së klubit të Veronës, që kërkon 25.

Tashmë, mbetet për t’u parë kundërpërgjigja e Interit, klub që duket se preferohet edhe nga vetë Kumbulla. Zikaltërit kanë edhe një armë më shumë teksa nëse arrijnë marrëveshjen për mbrojtësin, atëherë do të lejojnë kalimin te Verona të dy futbollistëve të rinjë, Dimarko dhe Salsedo. Megjithatë, konkurrenca për Kumbullën ashpërsohet gjithnjë e më shumë, dhe asnjë prej klubeve nuk është dorëzuar për të fituar shërbimet e një lojtari të së ardhmes, por edhe të tashmes. /VipSport.al/