Memushaj: I emocionuar nga mjekët shqiptarë në Itali. Të varfër, por me aq sa kemi mundohemi të ndihmojmë

Delegacioni prej 30 mjekësh e infermierësh shqiptarë që ka shkuar në Itali për të ndihmuar në përballimin e luftës ndaj koronavirusit në zonat më të goditura atje, ka emocionuar shumëkënd, e sidomos ata shqiptarë që jetojnë e punojnë prej vitesh në Itali. Ledian Memushaj është një prej tyre dhe në lidhje direkte me Xhanluka Di Marzion, ka folur rreth kësaj nisme që sipas tij tregon edhe një herë zemrën e shqiptarëve.

“Ishte një çështje me të vërtetë prekëse, unë u rrënqetha kur e pashë. Edhe pse jemi një vend në zhvillim, jemi një vend i varfër. Vend i cili me atë pak që ka, mundohet gjithsesi të ndihmojë të tjerët, sidomos Italinë e cila për në është si një shtëpi e dytë”, tha Memushaj.

“Ka një lidhje të ngushtë mes Italise dhe Shqipërisë, te ne shihen të gjitha kanalet televizive italiane, jemi rritur kështu dhe shumë kanë mësuar gjuhën italiane, është si një komb I dytë për ne. Në pjesën e dytë të viteve ’90 ishte një moment lufte, ku ndodhte gjithçka atje, shumë njerëz ishin arratisur në Itali, unë fatmirësisht kisha babain që punonte dhe pastaj erdha edhe unë në vendin më të bukur në botë. Kam kaluar më shumë vite këtu se në Itali, ndjehem edhe italian”, shpjegoi mesfushori.

I pyetur pastaj për faktin se skuadra e Peskarës në shenjë proteste kishte hyrë në fushë me maska para ndërprerjes së kampionatit, Memushaj tregoi se kishte dyshime se shumë futbollistë të ekipit të tij kishin kaluar koronavirusin pa u kontrolluar.

“Në janar dhe shkurt kishim shumë lojtarë me grip, pastaj edhe persona të stafit, ishte një situatë e çuditshme që nuk kishte ndodhur asnjëherë më pare. Deshëm të japim shembullin dhe dolëm në fushë me maska. Sipas meje, virusi ka ardhur edhe në ekipin tonë, por nuk na kanë bërë tamponat. Unë thjesht jam i lumtur që në këtë situatë u ndal gjithçka”, tha mesfushori shqiptar në bashkëbisedimin e tij. /vipsport.al/