Luis Enrike thotë se Serxho Ramos nuk është aspak ashtu siç duket

Atë nofkë e kishte edhe më parë, por pas dëmtimit të Salah në finalen e Championsit të 2018-ës iu vulos përfundimisht. Serxho Ramos është një nga më të mirët e epokës së tij, por nga shumë tifozë shihet si një njeri shumë negativ dhe me smirë brenda tij. Ka kartonë të kuq pa fund dhe ka bërë gjeste të shëmtuara ndaj shokëve të tij në kombëtare.

Në ndeshje është i papërmbajtshëm, por jashtë saj na qenka ndryshe. Luis Enrike, ish-trajneri i Barcelonës, derisa të bëhej trajneri i kombëtares spanjolle kishte provuar vetëm versionin e errët të Serxho Ramos. Tashmë ai mund të na tregojë edhe anën e mirë të yllit të Real Madridit dhe arsyen përse ai ka arritur të jetë kaq i suksesshëm.

“Unë e njihja Serxho Ramos vetëm për atë që e kisha parë në fushë nga ndeshjet që kishim zhvilluar kundër tij. Kur e takova, jam befazuar tepër për mirë. Tashmë e kuptoj përse ai është rekordmeni i Spanjës në ndeshje ndërkombëtare dhe mbajtës i kaq shumë sukseseve. Jam befasuar nga aftësitë e tij drejtuese dhe cilësitë njerëzore”, u shpreh trajneri i kombëtares së Spanjës. /vipsport.al/