Lojtari i Serisë A i infektuar: Kur ekonomia shkon për dreq e njerëzit vdesin, as më shkon mendja për futboll

Një nga lojtarët e shumtë të klubit të Sampdorias që rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit, Albin Ekdal, ka pranuar se ndjehet më mirë dhe shpreson që gjërat t’i afrohen sadopak normalitetit në një periudhë krize globale.

“Unë jam mirë prej disa ditësh. Duket se virusi ka dalë nga trupi im dhe nuk e ndjej më. Në realitet nuk isha edhe aq keq, për mua ishin simptomat klasike të gripit, kisha pak temperaturë, kurrë të lartë, pak dhimbje koke, pak dhimbje kyçesh e kështu me radhë. Sigurisht, nuk ishte e këndshme që të rezultoja pozitiv në test, por e kuptova menjëherë që po shpërndahej me shpejtësi e që shumë persona ishin infektuar.

Nuk po mendoj për futbollin në këto momente në të vërtetë. E vetmja gjë që ka vlerë është të kthehemi në ndonjë lloj normaliteti, që njerëzit të ndjehen më mirë dhe të mos humbin luftën. Kur ekonomia shkon për dreq e njerëzit vdesin, as që më shkon mendja për futboll”, tha lojtari suedez për mediat e vendlindjes, duke bërë të qartë se për momentin as e imagjinonte kthimin në fushë. /vipsport.al/