Maqedonia kërkon nga UEFA të shtyjë ndeshjen me Kosovën, lojtarët rrezikojnë karantinën

Mbyllja e dyerve për tifozët për ndeshjen Maqedoni-Kosovë nuk ka qenë hapi i vetëm që ka ndërmarrë Federata Maqedonase e Futbollit. Për shkak të shpërthimit të koronavirusit në Itali, është kërkuar nga UEFA që të shtyjë takimin, pasi nuk mund të ketë në dispozicion tre nga lojtarët e saj më të mirë e Kosova gjithashtu do të humbte shërbimet e futbollistëve të rëndësishëm.

Sipas rregullave të reja të shtetit maqedonas për të përballuar këtë situatë, Federata ka kërkuar që të shtyhet ndeshja pasi tre futbollistët e saj Pandev, Elmas dhe Nesterovski luajnë në Itali. Nëse ata udhëtojnë drejt Maqedonisë, do të jenë të detyruar të qëndrojnë 14 ditë në karantinë, sipas rregullit. E njëjta gjë do të ishte edhe për Ujkanin e Rrahmanin e Kosovës, të cilët luajnë gjithashtu në klube italiane.  

Ndaj me këtë argumentim, është bërë kërkesa që të shtyhet kjo ndeshjen në një tjetër datë për t’u caktuar si pasojë e këtyre vështirësive logjistike dhe pritet përgjigje nga institucioni që drejton futbollin në kontinent. /vipsport.al/