Kryetari i Sindikatës së Futbollistëve në Itali: Sezoni ndoshta ka përfunduar

Damiano Tomasi, kryetari i Sindikatës së Futbollistëve Italianë, mendon se fjalët e sotme të Ministrit për Sportin në këtë vend, Vinçenco Spadafora, mund t’i kenë vënë vulën kampionatit. Pritet që këtë javë të ketë një diskutim mes Ligës së Futbollit, Federatës dhe Sindikatës së lojtarëve, e Tomasi thotë se tashmë duhen marrë në konsideratë fjalët e autoriteteve shtetërore.

“Nesër në tavolinë do të kemi përpara një element më shumë në krahasim me javët e kaluara, sepse pas fjalëve të ministrit Spadafora, shqetësimi që kampionatet do të mbyllen këtu ekziston. Ndaj duhet të diskutojmë problemin e mbylljes së sezonit nga pikëpamja sportive, e kontratave, ajo formale”, tha ai.

“Sa i përket shkurtimit të rrogave, do të mundohemi që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët nëse është e mundur. Juventusi eci përpara, por nuk na ka gjetur të papërgatitur, e dinim gjithçka dhe Kielini është një prej këshilltarëve tanë. Nëse nuk ka përplasje mes klubit dhe lojtarëve nuk kemi pse ndërhyjmë, nëse ata kanë gjetur një akord, për ne është në rregull”, tha Tomasi, duke bërë të qartë se marrëveshje të tilla edhe në klube të tjera ishin të mirëpritura. /vipsport.al/