Kriza e klubeve / FIFA bën gati 2,5 miliard dollarë për të ndihmuar në gjithë botën

Kriza financiare që ka pushtuar globin pas pandemisë së koronavirusit, ka vënë në vështirësi të mëdha klube e federata, të cilat kanë parë të ndalen të ardhurat e tyre e të rrezikohet seriozisht ekzistenca. Kjo ka bërë që FIFA të vihet në lëvizje dhe të fillojë organizimin e një fondi solidariteti që do të ndihmojë në të gjitha vendet e goditura nga kjo krizë.

Sipas mediave ndërkombëtare, organizata botërore po bën gati një fond emergjence prej 2,5 miliard dollarësh, i cili do të mundësojë që futbolli të mbijetojë edhe në vende ku shteti nuk ka mundësi që të ndihmojë me qindra e mijëra futbollistë e punonjës. Ndërsa shumë klube e federata kanë marrë masa drastike duke shkurtuar rrogat, ka pasur edhe prej atyre që kanë pushuar nga puna lojtarët e FIFA do të ndihmojë pikërisht këta të fundit, në mënyrë që të mos mbeten mes katër rrugëve.

Edhe Federatat i kanë kërkuar ndihmë kësaj organizate dhe ka prej atyre që nuk arrijnë të garantojnë pjesëmarrjen në aktivitetet ndërkombëtare në të ardhmen nëse kjo situatë do të vazhdojë. Shembulli konkret është Uruguaji, i cili ka pushuar nga puna 400 nënpunës të Federatës pasi nuk ka me çfarë t’i paguajë. /vipsport.al/