Kosova luan ndeshjen më të rëndësishme ndaj Maqedonisë së Veriut, Ministri i Shëndetësisë jep njoftimin

Kosova do të luajë më datën 26 mars një ndeshje tejet të rëndësishme teksa përballet në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve me Maqedoninë e Veriut. “Dardanët” kanë shansin e artë për të prekur finalet e Europianit pasi nuk ia dolën të kualifikoheshin nga grupi i tyre ku ishin së bashku me Anglinë dhe Republikën e Çekisë, të cilat kanë prerë biletën për në eventin e rëndësishëm.

Tashmë, Kosova është e përqendruar me të gjitha forcat te ndeshja në fund të marsit. Takimi sipas shortit është paracaktuar të luhet në Maqedoninë e Veriut. Biletat para disa ditëve kishin dalë në shitje, por, Koronavirusi ka ndryshuar planet ndërsa tashmë është vendosur të luhet pa praninë e tifozëve.

Ky është një vendim zyrtar nga Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, që kërkon ashtu si në shumë vende europiane, të sigurohet për shëndetin e njerëzve. Mbetet për t’u parë nëse ky vendim shkon në favor të Kosovës, pasi siç dihet shqiptarët përbëjnë një pjesë të madhe në Maqedoninë e Veriut dhe pritej të ishin në stadium për të mbështetur “Dardanët”. /VipSport.al/