Koronavirusi i ul çmimin, Lacio “vërsulet” drejt Kumbullës

Marash Kumbulla ëshhtë objektivi i merkatos për një sërë klubesh të Serie A dhe jo vetëm. I riu ka mrekulluar këtë sezon me Veronën dhe duket se koronavirusi nuk do e pengojë të arrijë të veshë një bluzë shume më prestigjozë se ajo e Veronës sezonin e ardhshëm.

Interi është klubi, që Kumbulla e simpatizon, por shumë konkurentë të tjerë janë gati të hidhen në sulm. Së fundmi raportohet se Lacio është kandidati që për momentin po punon më shumë për të arritur te djaloshi nga Malësia e Madhe.

Tare po punon shumë për të fituar betejën për 20-vjeçarin, teksa e ka gati vendin e titullarit. Lacialët e vlerësojnë shumë atë dhe duan ta kenë në skuadër me patjetër. Ajo që bie në sy është se edhe çmimi i Kumbullës, ashtu si i çdo lojtari në botë do të bjerë pas ikjes së koronavirusit.

Ekonomia është goditur dhe tashmë Verona do të duhet të heqë dorë nga 25 milionë eurot e kërkuara për Kumbullën. Klubet do e kenë të vështirë të derdhin shuma të mëdha parash e nga kjo situatë përfiton Igli Tare, i cili është i gatshëm të përballojë çmimin e Kumbullës dhe i mbetet vetëm të bindë bashkëatdhetarin e tij. /vipsport.al/