Klubet shqiptare e dinë që FSHF nuk do i ndihmojë, i drejtohen qeverisë: Jemi në vështirësi!

Goditja e rëndë ekonomike që po pason përhapjen e pandemisë, ndjehet edhe në futbollin e vendit tonë. Klubet të cilat mbijetojnë kryesisht nga fondet e UEFA-s apo nga investimet driekte të presidentëve dhe donatorëve, janë ndjerë të goditura nga bllokimi i bizneseve të këtyre të fundit, ndaj Liga kërkon ndihmë për të mbështetur financat e Kategorisë Superiore.

Por duket se klubet e elitës as që presin gjë nga FSHF, ndonëse kjo e fundit me fondet e saj mund të përballojë shpenzimet disamujore të klubeve për t’i lehtësuar disi nga barra e rëndë në këtë periudhë. Ata i janë drejtuar drejtpërdrejt qeverisë shqiptare duke kërkuar që me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, edhe 10 klubet e Superiores të përfshihen te skema e kompensimit.

“Klubet e Superiores, pjesa më e madhe jan sh.a., vetëm dy kanë shoqata. Megjithatë, në një strukturë aklsionere që kanë, pejsa dërrmuese financohet nga bizneset. Përveç atyre që janë bizneset vetë aksionerë, janë edhe sponsorët që I mbështetin. Në këtë situatë është normale që këto klube të ndjehen në vështirësi sepse bizneset janë në vështirësi me bllokimin e aktivitetit.

Ndaj jemi në situatën ku pjesa më e madhe e tyre ndjejnë nevojën e një mbështetje financiare të paktën minimalisht për të përballuar detyrimet ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të klubeve”, shpjegoi për “Top Channel” presidenti i Ligës, Edvin Libohova.

“Kemi përgatitur një kerkesë që ia kemi dërguar sot kryeministrit, ku kërkojmë në këtë situatë të gjitha klubet e Superiores të futen në listen e bizneseve dhe entiteteve që po mbështeten nga qeveria në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi. Shifrat vjetorë që një klub shpenzon për të mbajtur një ekip në Superiore fillon nga 500 mijë dhe arrin deri në 1 milion euro”, tha ai.

Gjithsesi, nëse futbolli do të përfshihej në skemat e qeverisë, përfitimi real i klubeve sa i përket shpenzimeve të pagave të lojtarëve dhe stafeve do të ishte minimal, ashtu siç shumë prej tyre i deklarojnë për efekt sigurimesh shoqërore duke bërë kontrata të dyfishta. /vipsport.al