Klop është “i marrosur” pas tij, Liverpul ofron 90 milionë euro për “dështimin” e Barçës

Barcelona ndodhet në vëshhtirësi të mëdha financiare për shkak të ndalesës prej koronavirusit dhe mediet në Spanjë raportojnë se i duhet me patjetër të shesë. Nelson Semedo dhe Filipe Kutinjo janë dy të parët nga të cilët mund të përfitohet një shumë e mirë të ardhurash, por kaq nuk mjaftojnë nëse katalanasit duan edhe të forcojnë skuadrën në merkato.

Në medie flitet për nxjerrjen në treg të Antuann Grizman dhe ky opsion ende nuk është mohuar nga klubi. Kështu, me shumë mundësi francezi mund të largohet pas vetëm një sezoni, ku nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij dhe nuk është përshtatur aspak me lëvizjet e Mesit në fushë. Megjithatë, në këtë kohë krize akoma nuk ka dalë një blerës për të dhe ndryshe ndodh me shokun e tij, Osman Dembele.

Francezi ka zhgënjyer më shumë se kushdo në sulmin e Barçës, por drejtuesit kanë vendosur t’i japin mundësinë e fundit. Ai nuk është nxjerrë në merkato, pasi sezoni i ardhshëm do të jetë vendimtari për “raketën” franceze. Por edhe mund të mos jetë. Liverpul është gati të përfitojë nga momenti i vështirë financiar i Barçës dhe me sugjerim direkt nga Jurgen Klop është gati të ofrojë 90 milionë euro për Dembele.

Francezi pëlqehet shumë nga trajneri gjerman, i cili dëshiron ta vendosë krah yjeve të tjerë te Liverpuli. Mbetet për tu parë reagimi i Barçës, që në 2016-ën e bleu nga Dortmundi për plot 115 milionë euro. Në rast se dështojnë operacionet e tjerë, me siguri drejtuesve katalanas do i duhet të heqin dorë nga një prej talenteve më të mëdhenj që disponojnë. /vipsport.al/