Jupi: Ndeshja me Laçin më konfirmoi cilësitë e Tiranës, rastet i kanë pasur në favor por rezultatet nuk janë rastësi

Ish-futbollisti i Dinamos, e tani në rolin e analistit sportiv, Redi Jupi, ka theksuar se ndeshja ndaj Laçit, i ka konfirmuar cilësitë e Tiranës, pasi bardheblutë edhe pse nuk ishin në ditën e tyre më të mirë dhe vuajtën presionin e Laçit, sërish ia dolën të fitonin. Në studion e Proçesit Sportiv, Jupi u shpreh se Tirana i ka pasur në favor rastet, megjithatë rezultatet pozitive radhazi nuk mund të jenë rastësi.

“Nëse kishte një ndeshje që mua më konfirmoi cilësinë e skuadrës së Tiranës, ishte pikërisht kjo ndeshje. Mendoj se ishte një ndeshje shumë e vështirë në të cilën Laçi bëri shumë mirë. Tirana vuajti intensitetin e lojës së Laçit, vuajti dëshirën e Laçit për të marrë rezultat. Kishin ardhur për të marrë edhe më shumë se një pikë në atë ndeshje, vuajti energjinë dhe dëshirën e një grupi lojtarësh relativisht të rinj të cilët po luanin me dëshirë të madhe në stadiumin e ri e kjo dukej.

Por, mungesa e cilësisë së tyre për të shënuar dhe cilësia e Tiranës në 30 metrat e fundit, u duk që këto rezultate nuk janë rastësi. Është e vërtetë që ka njëfarë dashamirësie për Tiranën, rastet e  favorizojnë. Nuk dua ta them se ka një dorë të madhe që lëviz mekanizmat, ama në përgjithësi rastet kanë qenë në favorin e tyre. Të shohim nëse deri në fund të kampionatit do barazohen situatat në favor dhe kundër. Gjithsesi, Tirana ka cilësi brenda”.

Tirana ka bërë lojën më të bukur? “Mua më pëlqen kur shoh Tiranën. Kjo nuk ishte ndeshje e mirë për ta, vuajtën presionin. Laçi ishte më agresiv, Tirana në disa situata rrezikoi edhe ta humbiste ndeshjen. Por, ajo që më bën përshtypje është se Laçi kishte pak situata për të shënuar. Krijoi një me goditje standarde dhe dy-tre të tjera që nuk ishin 100% për të shënuar.

Kundërshtarët lejnë hapësira mbrapa dhe cilësia që ka Tirana, sidomos me Kobinah krijon avantazh numerik. Dhe, goli është një shkëndijë e Kobinah. E më pas është edhe një gabim i portierit të Laçit, sepse kur ke cilësi, kur gjërat janë pozitive, të favorizojnë edhe situatat. Laçi nuk kishte çfarë të bënte më tepër”, u shpreh Jupi. /VipSport.al/