Jashanica: Gjithmonë i gatshëm për Kosovën, kalova periudhën më të errët

Pas dy viteve pritje, Bajram Jashanica është rikthyer të prekë fushat e blerta teksa këtë shkurt përfundoi dënimin e tij dyvjeçar pasi për shkak të një pakujdesie, rezultoi me doping. Megjithatë, mbrojtësi i Skënderbeut kërkon të shohë përpara dhe të harrojë atë që ai e quan si periudhën më të errët në karrierë. Në një intervistë për “Gazeta Olle”, Jashanica thekson se për Kosovën është gjithmonë i gatshëm dhe beson se Dardanët do ia dalin në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

“E kam thënë shumë herë se kjo ishte periudha më e errët e karrierës time. I lutem Zotit mos t’i ndodh ndonjë futbollisti kjo siç më ka ndodhur mua nga pakujdesia, që më kushtojë me karrierë në futboll. Por tani për tani nuk dua as të mendojë, sepse jam duke shikuar vetëm përpara drejt të ardhmes. I nisa mjaft mirë ndeshjet në kampionat, por fati i keq ishte pezullimi i ndeshjeve si shkak i këtij virusi. Gjithsesi pres që kjo situatë të kalon sa më parë, sepse tani për tani jam duke stërvitur në kushte shtëpie, me ato mundësit që kemi për të mbajtur formën në nivel”.

Besimi te fitorja e Kosovës ndaj Maqedonisë- “Isha në kontakt me lojtarët e Kosovës, pasi i kam edhe shok shumë të mirë, por isha disa herë edhe në grumbullimet që kishin gjatë kohës që qëndronin në Prishtinë. I kam vizituar edhe stafin e Kombëtares, por edhe presidentin Ademi, dhe gjithë ata që janë pjesë e kësaj familje që po na bën krenarë gjatë kësaj periudhe. Me Maqedoninë e Veriut do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, e dimë të gjithë që kujdesi duhet të jetë maksimal pasi kemi të bëjmë vetëm me një ndeshje. Deri në qershor kemi kohë që gjithë futbollistët në ekip të jenë në formë të mirë, dhe besoj se kemi një ekip shumë të fortë dhe do të jemi ne ata që në fund do të fitojmë”.

Grumbullimi me Kosovën- “Shpresojë që të kualifikohemi dhe më pas presim e të shohim. Unë kam dhënë çdo herë maksimumin tim në fanellën e Kosovës. Unë do të jem i gatshëm në çdo moment për Kosovën, madje duke dhënë edhe 100 për qindëshin nga vetja ime”, u shpreh Jashanica.