Ishte edhe në Shqipëri për të ndihmuar për tërmetin, legjenda Rushtu Reçber shtrohet në spital me COVID-19

Ish-portieri i njohur i përfaqësueses turke që shkoi deri në gjysmëfinalet e Botërorit 2002, Rushtu Reçber, është shtruar me urgjencë në spital si pasojë e COVID-19. Lajmin e bëri të ditur gruaja e tij, e cila tregoi se ishte në panik të plotë për situatën e papritur që po kalonte ish-gardiani i klubeve të njohura si Fenerbahçe, Beshiktash e Barcelona.

“Do të më pëlqente t’u jepja lajme më të mira por më vjen keq t’ju them se bashkëshorti im është shtruar në spital për shkak të COVID-19”, tha gruaja e tij, Isil, në një mesazh në rrjetet sociale. “Gjithçka ishte normale kur në mënyrë të papritur ai zhvilloi simptomat shumë shpejt dhe jemi ende të tronditur. Kjo është një periudhë kritike dhe e vështirë. Kërkesa ime e vetme është që njerëzit të jenë të ndërgjegjshëm dhe të kenë respekt. Testi im ishte negativ, ashtu si të djalit dhe vajzës time. Por ai është në spital dhe nuk na lejohet as ta shohim”, shpjegoi ajo e dëshpëruar.

46-vjeçari Reçber, në janarin e këtij viti vizitoi Shqipërinë, për të marrë pjesë në ndeshjen e bamirësisë të yjeve, pasi kërkonte të jepte kontributin e tij për të mbledhur fonde për viktimat e tërmetit në vendin tonë. /vipsport.al/