Ish-shoku i De Rosit shpjegon largimin nga Boka: Për fat të keq në shtëpinë e tij, komandon gruaja

Daniele De Rosi habiti jo pak me zgjedhjen e tij për t’u transferuar në Argjentinë te skuadra e Boka Xhuniors, pasi mbylli aventurën me Romën. Por, me argjentinasit, italiani nuk ia doli të aktivizohej rregullisht për shkak të formës fizike dhe pas gjashtë muajsh u largua, ndërsa më pas vendosi të tërhiqej përfundimisht nga futbolli.

Megjithatë, te Boka Xhuniors ishin të gatshëm ta mbanin mesfushorin  të paktën deri në fundin e sezonit. Gjithsesi, mesfushorit dukej sikur i mungonte Italia, kështu mendon edhe ish-shoku i tij te Roma, David Pizaro. Sipas kilianit, De Rosi iu desh të kthehej edhe sepse në shtëpinë e tij komandon gruaja.

“E pashë të motivuar për aventurën me Boka Xhuniors. Shpresoja të kisha mundësinë të shkoja e ta takoja, por në shtëpinë e tij komandon gruaja. Sigurisht, ai është një nga mesfushorët më të fortë me të cilët kam luajtur. Kam qenë përkrah tij për thuajse gjashtë vite, dhe merreshim vesh me sy mbyllur. Për disa vite kemi bërë një dyshe të bukur në Itali dhe Europë”, u shpreh Pizaro. /VipSport.al/