Ish-presidenti i Juventus bën polemikë me Ronaldon: Iku për mamanë, por tani merr rreze dielli në pishinë

Futbolli në Itali është ndalur teksa ndeshja e fundit është luajtur më datë tetë mars. Prej atij momenti, vendi është përfshirë në luftën ndaj koronavirusit dhe situata ka agravuar, ndaj për futboll nuk mund të bëhej fjalë. Ndërkohë, që edhe futbollistët u prekën nga COVID-19, klubet u detyruan të futeshin në karantinë.

Kështu, ndodhi edhe me Juventusin e futbollistët e saj, ndërsa i vetmi që i shpëtoi kësaj pandemie ishte Kristiano Ronaldo. Para se gjendja të përkeqësohej, portugezi udhëtoi drejt vendlindjes për të qëndruar pranë mamasë së tij e cila ishte në gjendje të vështirë shëndetësore.

Por, ky veprim duket se nuk i ka pëlqyer ish-presidentit të bardhezinjve, Koboli Xhili, i cili nuk ka lënë pa e theksuar faktin se CR7 u largua për te mamaja, por tashmë është gjithë ditën duke marrë rreze dielli para një pishine të madhe.

Sipas ish-presidentit, jo vetëm Ronaldo por të gjithë futbollistët duhet të qëndronin në Itali. “Romaldo u largua për të ëmën, por më pas del duke marrë rreze dielli para një pishine gjigande. Jo vetëm Ronaldo, por edhe Higuain e Kosta nuk duhej të largoheshin. Duhej të qëndronin të gjithë në karantinë”, u shpreh Xhili. /VipSport.al/