Inzagi di si zgjidhet mallkimi i fanellës së Milanit dhe propozon: Të luhet, fituam Champions pa pushime

Pipo Inzagi mendon se kampionati italian duhet çuar deri në fund, edhe nëse do të bashkohen dy sezone bashkë. Ish-sulmuesi i Milanit dhe Italisë, aktualisht trajner i Beneventos, edhe pse do të siguronte ngjitjen në Serinë A me skuadrën e tij meqë kryeson Serinë B, shpreson që të luhen edhe ndeshjet e mbetura.

Sipas tij, nuk ka nevojë për shumë pushime mes dy sezoneve pasi lojtarët mund të përshtaten me çdo rrethanë për një vit. “Dua të kujtoj se në vitin që fituam Ligën e Kampioneve në Athinë me Milanin, kisha fituar Kupën e Botës me kombëtaren dhe isha kthyer në stërvitje nga pushimet më 1 gusht. Me datë 9 zbrita në fushë dhe shënova gol. Në futboll nuk ka nevojë për 3-4 javë përgatitje para rifllimit”, insistoi ai për “Sky Sport”.

Ndërkohë, i ngacmuar për një mallkim që shoqëron Milanin që kur u largua ai nga kuqezinjtë, sa i përket paraqitjeve të dobëta të atyre që luajnë me fanellën me numrin 9, Inzagi ka një zgjidhje. “Nëse do ta vishte Ibrahimoviç, mallkimi do të merrte fund. Mallkimi zhduket nëse një fanellë e veshin futbollistë të mëdhenj”, tha Inzagi. /vipsport.al/