Ideja e çmendur në Formula 1, deshën të infektonin Maks Vershtapen me dashje!

E gjithë bota po mundohet të evitojë infeksionin me koronavirus, por nga Formula 1 vjen lajmi i pabesueshëm se një skuadër ka tentuar që të infektojë me dashje një nga pilotët e saj. Sipas vetë drejtuesve të Red Bull, ata kanë pasur në plan që të infektonin yllin e skuadërs së tyre, Maks Vershtapen.

Drejtori sportiv i ekipit, Helmut Marko, kishte tentuar që të infektonte sportistin, në mënyrë që ta bënte sa më shpejt imun ndaj virusit, por nuk ia kishte dalë. Një qëndrim absurd i tij, ndërsa e gjithë bota po lufton kundër COVID-19 dhe disa skuadra të Formula 1 I janë vënë punës për të ndihmuar duke filluar prodhimin e ventilatorëve .

Marko tregoi se kishte dashur që të infektonte në këtë mënyrë pilotët e skuadrës Red Bull, mes të cilëve edhe Vershtapen 22-vjeçar. “Në këtë mënyrë do të ishte imun më pas. Ata janë të gjithë të rinj të fortë dhe me shëndet të plotë. Kjo situatë do të bënte të ishin të gatshëm kurdo që të niste sezoni. Por propozimi im nuk u prit edhe aq mirë”, tregoi Marko se si kishte dështuar në planin e tij. /vipsport.al/