I mjafton një sezon për të fituar vëmendjen, Selmanin e kërkojnë dy ekipe të Superligës turke

Ende nuk ka përmbyllur sezonin e tij të parë te skuadra e Menemensporit në Ligën e Parë turke, por Gentian Selmani ia ka dalë mjaft mirë të shfaqë cilësitë e tij mes dy shtyllave. Ish-gardiani i Laçit është një nga futbollistët më të rëndësishëm në skuadrën e tij, dhe në këtë formë ka fituar vëmendjen e klubeve të Superligës turke.

Sipas, asaj që raportojnë mediat e këtij vendi, për 22-vjeçarin po interesohen skuadrat e Koniaspor dhe Kashëmpasha. Transferimi në një prej këtyre klubeve do të ishte një hap i madh për Selmanin, megjithatë për këtë duhet pritur merkato e verës.

Aktualisht, portieri që është edhe kontigjent i kombëtares, mbetet i përqendruar te aventuara me Menemensporin teksa klubi për momentin është në vendin e 12 të Ligës së Parë. Kujtojmë se me këtë klub luan edhe një tjetër lojtar i ardhur nga Laçi, David Domgjoni. /VipSport.al/