Hodhi në mes të rrugës Lenjanin, presidenti i klubit shpjegon: Zgjodha moshën dhe zgjatjen e kontratës

Presidenti i klubit të Sion, Kristian Konstantin, ishte ndër të parët që mori masa radikale për të shmangur krizën si pasojë e ndalesës së koronavirusit. Por nëse klubet e tjera shkurtonin rrogat e lojtarëve me anë të një akordi, ai i kaloi të gjithë në asistencë sociale, ndërsa shkarkoi direkt 9 prej tyre pasi e refuzuan këtë vendim të njëanshëm. Mes emrave të futbollistëve të cilëve u ndërpreu kontratat ishin edhe Ermir Lenjani dhe Pajtim Kasami, dy nga lojtarët kryesorë të Sionit.

Presidenti zbuloi sot se veprimi që kishte kryer, ishte i mirëmenduar dhe se ai kishet dashur që t’i bënte shembull futbollistët në fjalë.

“Unë zgjodha me dashje 9 lojtarë, pasi shkarkimi nga puna i 10 apo më shumë njerëzve quhet shkarkim në masë sipas ligjeve, e kjo kërkon procedura speciale e të komplikuara. Unë zgjodha në bazë të moshës dhe të kohëzgjatjes së kontratës. Mes tyre është edhe Kouasi, i cili duhej të ishte medoemos në listë si lideri i atyre që refuzuan asistencën. Atij i interesojnë vetëm paratë”, shpjegoi presidenti i Sionit.

Lenjani në fakt kishte kontratë deri në fund të këtij sezoni me Sionin, me të drejtë zgjatjen e saj edhe në edicionin e ardhshëm, por këtë opsion mund ta aktivizonte vetëm klubi. Kështu, Sioni mendon se ka shpëtuar nga rrogat e fundit të futbollistit shqiptar, i cili ka qenë ndër të mirëpaguarit në këtë klub, ashtu si edhe Kasami. Por në Zvicër janë të sigurt se të dy futbollistët do t’u drejtohen avokatëve të tyre dhe kjo çështje do të mbyllet vetëm me gjyq, sapo të normalizohet situate. /vipsport.al/