Godin sulmon italianët: Rrezikuam, na mbajtën në fushë deri në fund

Diego Godin ka qenë ndër futbollistët e parë të Interit që është larguar nga Italia këtë javë, sapo mbaroi karantina e detyrueshme prej dy javësh pasi kishte qenë pjesë e skuadrës që u përball me Juventusin. Futbollisti udhëtoi bashkë me familjarët e tij drejt Uruguait, nga ku nuk ka ngurruar të lëshojë kritika të shumta për sportin italian që sipas tij rrezikoi jetën e njerëzve duke luajtur deri në fund ndeshjet mes krizës së koronavirusit.

“Ne u ekspozuam deri në momentin e fundit dhe ata na mbanin në dispozicion për të pare nëse mund të vazhdonim të luanim. Kjo zgjati deri në momentin kur situata u bë e papërballueshme.

Tani atje sistemi shëndetësor ka pësuar kolaps, nuk ka shtretër mjaftueshëm në repartin e reanimacionit për të trajtuar kaq shumë persona të sëmurë dhe të tjerë që mund të kenë një sëmundje që nuk arrijnë të kurojnë. Më datë 8 mars Interi ka luajtur ndeshjen e fundit kundër Juventusit, një skuadër e cila vetëm pak ditë më vonë konfirmoi se kishte një të infektuar, Daniele Ruganin”, u shpreh Godin.

Shpërthimi publik i Godin nuk do të pritet me sy të mirë në Itali kur të kthehet dhe prej kohësh kanë filluar zërat se ai është shumë pranë largimit nga zikaltërit me skuadra të ndryshme në Spanjë, Angli apo SHBA që janë gati t’i ofrojnë kontrata të rëndësishme. /vipsport.al/