Futbollisti i Laçit tregon peripecitë në Shqipëri nga COVID 19 te tërmeti: Kërkova të largohesha

Situata në vendin tonë në muajt e fundit nuk ka qenë shumë e lehtë. Nëse infeksionit COVID-19 i është nënshtruar e gjithë e bota dhe paniku po ndahet mes vendeve, Shqipëria kaloi në muajin nëntor edhe një tërmet të fuqishëm që la pas shumë viktima e tronditje mes qytetarëve, të cilët ende po vuajnë pasojat e tij. Mbi këtë temë, ka folur edhe futbollisti brazilian i Laçit, Teko. Në një intervistë për “Globo Esporte”, mesfushori me tipare sulmuese ka shpjeguar masat ndaj COVID-19, frikën nga tërmeti si dhe problemet me ndryshimet e orarit.

COVID-19- “Falë Zotit këtu situatë është e mirëkontrolluar, sepse u paralajmëruan nga ajo që po kalon Italia, si dhe mbyllën udhëtimet me këtë vend. Dhe, masat janë që të preken sa më pak njerëz. Kampionati është i ndërprerë dhe ne jemi në shtëpi. Këtu tashmë ndiqen rregullat e përcaktuara, ata që punojnë apo që duhet të blejnë ushqime mund të lëvizin deri në orën 13:00. Kushdo që lëviz pas këtij orari, atëherë ndalohet nga policia dhe merr një gjobë të majme”.

Vështirësitë në Shqipëri- “Prej 10 muajsh jam këtu dhe kur kam ardhur kisha shumë vështirësi. Kjo prej diferencës së orës, gjithashtu kisha probleme të mëdha edhe në dimër pasi moti është shumë i ftohtë. Kur stërvitesha vishja tuta termike dhe më pas sipër tyre vishja edhe një tjetër palë tutash. Të njëjtën gjë bëja edhe me bluzat. Por, vështirësia ime më e madhe në Shqipëri ishte tërmeti. Madje, kërkova që të largohesha sepse isha i frikësuar pasi nuk kisha qenë asnjëherë në të tilla kushte dhe uroj që asnjë të mos e përjetoj diçka të tillë. Është diçka që të kap papritur dhe të frikëson gjithë kohën sepse mendon se mund të vijnë të tjera lëkundje. Për afro dy javë, kam fjetur në makinë së bashku me një çift dhe djalin e tyre sepse kishte shumë tërmete këtu”.

Oferta nga Laçi- “Isha te Treze-PB, por kampionati përfundoi dhe u ktheva në shtëpi teksa mora ofertën nga ky klub shqiptar. Menaxheri më tha se ata do luanin në play off të Europa League dhe nuk e mendova dy herë sepse ëndrra ime ishte të luaja në Europë dhe sot po e bëj këtë. Këtu është një vend ku është një futboll i fortë dhe shumë taktik”.

Familja në Brazil- “Ka qenë shumë e vështirë nga largësia, dhe kjo jo vetëm nga virusi por të mungojnë. Por, këtu jam për ëndrrën time dhe të ndihmoj familjen time. Prej 10 muajsh jam larg tyre por, çdo ditë jam në kontakt me mamanë, babain dhe vëllain. Falë Zotit askush në familjen time nuk është i prekur nga COVID-19”, u shpreh Teko.