FOTO/ “Transformimet” e lojtarëve të Tiranës, fotografi i famshëm i kthen në yje të “Hollywood”

Kjo periudhë karantinimi ka bërë që fotografi i Tiranës, Izmir Doda, tu gjejë nga një profesion të ri lojtarëve bardheblu, duke parë se futbolli nuk ka ndërmend të fillojë. Një ide mjaft e bukur kjo e fotografit, i cili vendos të shfrenojë fantazinë e tij duke kthyer në heronj filmash disa nga lojtarët kryesorë të Tiranës.

Edon Hasani ka vendosur të thyejë rregullat e karantinës dhe të shkojë të luftojë në betejën e famshme të Trojës. Ndërkohë që Hasani lufton, Karabeci është në kërkim të thesarëve e mistereve si Xhek Sparrou në filmin “Piratët e Karaibeve”, një përshtatje mjaft interesante, duke parë se pamja e Karabecit ka një lloj ngjashmërie me pamjen e personazhit në fjalë.

Klisman Cake është një ninxha i rrezikshëm gati për të goditur kundërshtarët. Agustin Torasa ka marrë fronin e një prej personazheve më të famshëm për të rinjtë. Vështirë se gjen dikë që nuk e ka parë “Game of Thrones” dhe nuk e njeh Xhon Snou. Ndërkohë Tedi Cara është personazh kryesor në filmin e famshëm “Thor”.

Majkëll Ngo në pamje të parë ngjan si basketbollist dhe Doda ka vendosur ta shndërrojë në një të tillë. Ndërkohë epik është krahasimi që i bëhet Tefik Osmanit. Korçari njihet për fjalët e tij të mençura me pak satirë brenda dhe në këtë periudhë karantinë është “El Professor” në filmin “La Casa de Papel”. Presim “transformimet” e radhës në kampin e Tiranës. /vipsport.al/