FOTO/ Nis rindërtimi i stadiumit, Kastrioti bëhet gati për rikthimin në Superiore

Kastrioti është një nga skuadrat më të mira të Kategorisë së Parë këtë sezon dhe krutanët janë vetëm një këmbë larg rikthimit në Kategorinë Superiore. Skuadra krutane mban vendin e parë të grupit A dhe është plot nëntë pikë nga kundërshtari më i afërt, që është Besëlidhja.

Skuadra e Ramadan Ndreut është gati për të kaluar në elitën e futbollit shqiptar, teksa edhe drejtuesit kanë nisur nga puna për t’i krijuar kushtet e duhura skuadrës dhe për të përmbushur kërkesat e FSHF mbi terrenet sportive. Ditën e sotme kanë nisur punimet për rregullimin e stadiumit “Redi Maloku”. Puna fillimisht ka startuar me shembjen e tribunave, që kanë dalë jashtë funksionit dhe do të vijojë më pas me rregullimin e të gjitha ambienteve të stadiumit.

Kjo ndërhyrje konsiston me vendosjen e stolave në shkallët e stadiumit, rregullimin e fushës dhe ambienteve të brendshme të klubit. Duke nisur nga dita e sotme puna do të vijojë rregullisht dhe pretendohet se stadiumi do të jetë gati me fillimin e sezonit të ri të Kategorisë Superiore në javët e fundit të gushtit. /vipsport.al/