Foto/ Lojtarët e Kukësit dhe Laçit sfidojnë rregullat e qeverisë, stërviten në grup në fushën e blertë

Është normale që lojtarët e të gjithë ekipeve të Superiores dhe jo vetëm, të kenë vështirësi të ruajnë formën fizike në kushtet e shtëpisë, por kjo nuk do të thotë që të thyejnë çdo rregull të vënë nga autoritetet dhe të shkojnë në fushën e blertë, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe shumë të tjerëve.

E bëri Tirana para disa ditësh, e bën edhe Kukësi e Lacci ditën e sotme. Sulmuesi i Kukësit, Eduart Rroca ka publikuar ditën e sotme një foto në “Instagram”, ku shfaqet pranë dy shokëve të tij, pas stërvitjes në kompleksin e Redi Jupit, vendi ku stërvitet edhe skuadra e Kukësit këtë sezon.

Bashkë me të ndodhen edhe Kristal Abazaj dhe Gëzim Krasniqi, pa asnjë masë sigurie dhe duke thyer qartë rregullin, që thotë se nuk lejohet të dalë askush për qëllime të tjera, përveç blerjes së ushqimeve dhe plotësimit të nevojave të tjera jetike.

Akoma më rëndë i thyen rregullat Laçi, ku shihen plot gjashtë lojtarë, mes tyre titullarë Ignjatoviç, Gjoni apo Stazhilla. Një papërgjegjshmëri e plotë e klubeve të Superligës, që duhet të jenë një shembull për gjithë shoqërinë dhe duhet të kuptojnë se jemi në një situatë, ku çdo gabim i vogël kushton jetë./vipsport.al/