Flet “magjistari” Tare, pret që të luhet përsëri dhe parashikon: Gjithçka do të jetë më e komplikuar

Do të kthehet apo jo futbolli i luajtur për të mbyllur sezonet aktuale? Kjo është pyetja që bën shumëkush në këto momente duke pritur që bota t’i kthehet sadopak normalitetit para COVID-19. Sipas Igli Tares, një gjë e tillë do të ndodhë dhe insiston se futbolli, të paktën në Itali, do të kthehet aty ku e la, për të vazhduar kampioantin e lënë në mes.

“Prioriteti është të luftojmë kundër virusit dhe të mbyllim sezonin. Përndryshe do të ishte fatale për situatën ekonomike të futbollit”, tha Tare për “Tuttosport” duke kujtuar se kontratat e nënshkruara dhe të mospërmbushura do të sillnin gropa të rënda financiare për klubet.

“Shpresojmë që të luajmë kampionatin deri në finalen e tij, edhe pse nuk e dime se kur do të rifillojë përsëri. Vetëm pas tij, do të fillojmë të mendojmë si të organizojmë merkaton e klubit”, u shpreh drejtuesi shqiptar. “E vetmja siguri që kemi është se gjithçka do të jetë më e komplikuar. Ulja e përgjithshme e vlerave të futbollistëve është e mundur, por shumë gjëra gjithashtu do të varen nga si do të mbyllet sezoni. Por nuk më intrigon ideja e një merkatoje që zgjat deri në dimër”, përfundoi ai. /vipsport.al/