Ferrara-­­Maradona, batuta pa fund mes nostalgjisë: Pankina ishte vendi yt në fushë

Kohë kujtimesh për shumëkënd që ka mbetur i mbyllur në shtëpi në këtë periudhëhdhe një prej tyre ka qenë edhe Çiro Ferrara ai që ka parë me nostalgji të kaluarën e tij. Ish-mbrojtësi i Italisë ka zgjedhur të postojë së fundmi një foto në Instagram ku shfaqet pranë Maradonës, duke nisur një shkëmbim batutash shumë interesant me legjendën argjentinase.

Ai ka postuar një foto në pankinë në vitet te Napoli, ku shfaqej përkrah Maradonës, Baianos dhe Çimarutës. “Dokument i bujshëm. Unë dhe Maradona në pankinë. Rrini të qetë, ishim vetëm të lodhur”, shkruante me humor ai përkrah fotos.

‘Pibe de Oro’ nuk vonoi që t’i përgjigjej po me batutë. “Mendoj se pankina ishte vendi yt në fushën e lojës Çiro”, shkruante argjentinasi duke kujtuar se si Ferrara nuk kishte qenë ndër emrat kryesorë të Napolit në fillimet e epokës së artë.

Ferrara nuk ngurroi t’i kundërpërgjigjej shpejt. “Ke të drejtë kapiten, pastaj e kuptove se duhej të zbrisja në fushë që të të bëja të fitoje dy tituj kampion, një Kupë UEFA, një Superkupë dhe një Kupë Italie”, tha ish-mbrojtësi. /vipsport.al/