Falënderimi i trajnerit italian të legjendave të tenisit: Do të dëshiroja të stërvitja disa shqiptarë

Rikardo Piati, një nga trajnerët më të njohur të tenisit në botë, ka gjetur mënyrën më të veçantë për të falënderuar kontributin e shqiptarëve për të luftuar koronavirusin në vendin e tij. Nëpërmjet një letre të dërguar te “La Gazzetta Dello Sport”, ai ka bërë të qartë se është gati të stërvitë talentet shqiptare në akademinë e tij.

“Edhe unë, si shumë të tjerë, kam dëgjuar me vëmendje fjalimin e kryeministit shqiptar Edi Rama. Fjalë të rëndësishme, të mbushura me kuptim e sinqeritet, të mbushura me mirënjohje, një ndjenjë gjithnjë e më e rrallë në botë. Ndaj për këtë arsye mendova se sapo e gjithë kjo të situatë, kjo pandemi të përfundojë dhe tenisi të mund të rifillojë më në fund, do të më pëlqente që të kontaktoja Federatën shqiptare  dhe të ftoja ndonjë të ri të stërvitej te ne. Do të më pëlqente, që me aq sa kam mundësi, të këmbej mbështetjen që na ka ofruar populli shqiptar”, theksoi trajneri i cili mes të tjerëve ka drejtuar Novak Gjokoviç dhe Maria Sharapovën.

“Shqipëria u kujtua për ne kur kemi pasur popullin në vështirësi dhe kjo më la mbresa pasi ne italianët vlerësohemi gjithmonë më pak nga sa vlejmë. Në këtë moment, për të gjithë ne, është e rëndësishme që të rigjejmë vlerën e vëllazërisë, të mirënjohjes. Edhe në sport. Pikërisht për pasionin që më jep shtysë, kam menduar të ndihmoj ndonjë tenist të ri shqiptar në akademinë time pasi kjo është ajo që di dhe që mund të bëj”, shkruante ai në këtë letër të hapur, një mënyrë shumë domethënëse për të falënderuar Shqipërinë që dërgoi mjekë dhe infermierë në Itali në mes të kësaj krize globale. /vipsport.al/