Edi Martini, nga roje lagje ne ’97 te ëndrra për titull. Atë që bëri Skënderbeu do ta kishet bërë Vllaznia

Edi Martini i “është nënshtruar” koronavirusit dhe është detyruar të respektojë rregullat e vendosura nga autoritetet. I kontaktuar Super Sport, ai bëhet nostalgjik dhe i bën një rezyme rinisë së tij, kur provoi të luajë edhe me Ajntraht Frankfurtin.

“Vështirësi të mëdha, por ia kemi krijuar kushtet vetes për të luajtur në oborr pak futboll, volejboll, ping-pong. Armiku kryesor tani është frigoriferi. Kam filluar një eksperiencë tjetër, preokupimi është maksimal. Shpresoj që me të të sigurojmë një objektiv që të shkojmë në UEFA me Teutën, objektiv madhor për mua dhe ekipin.

Në vitet 91 kur dolëm kampionë me moshat, atë që bëri Skënderbeu tani së fundmi do ta kishte bërë Vllaznia atëherë. Por fatkeqësisht ekipi u shpërbë pas një miqësoreje me Azhakso në Francë. Ndoshta disa ëndrra që kisha i realizova më shpejt se sa duhet dhe kur i realizon në atë moshë ndoshta të dëmtojnë.

Ndodhi ajo që ndodhi në 97, pastaj ishin 2 ndeshjet me Shpresat në Spanjë dhe u luajt në fushë neutrale. Luajtëm kundër Ukrainës dhe Gjermanisë, pas atyre u kontaktova nga menaxheri i Ajntrahtit. Deri në mars të 97-ës kam qenë në Shkodër dhe kam qenë edhe roje në lagje në atë periudhë. Gjithçka është pjesë e fatit, sa shkova në Frankfurt, bëmë ndeshje me portugezët me Shpresat. Shënova se kisha edhe formë të mirë e barazuam, ndonëse vinim nga Shqipëria me 3-4 muaj pa stërvitje. Sa u ktheva nga faza përgatitore, u dëmtova rëndë dhe qëndrova 18 muaj jashtë, edhe me paterica. Futbolli është i lidhur me fatin e nuk ke çfarë i bën.

Stërvitjet me Teutën i bëjmë me saktësinë më të madhe, Dje kam shkuar në Durrës se po bëjmë stërvitje 2 nga 2. Nuk është situatë që e kemi shpikur ne, po përdoret në Europë, edhe nga ekipet e Bundesligës. Shkojnë nga 2 nga 3 në salla force, edhe pse kanë kushtet në shtëpi. Kemi çdo ditë programin e stërvitjes që e kontrollojmë, si punohet e çfarë punohet. Dje kam shkuar për pak kohë se në stadium. Të stërviten vetëm 2 vetë është situatë normale. Por nuk dimë si do të fillojë kampionati. Jemi në një pikë kritike që nuk e dimë se si mund të punojmë.

Në këto momente të bisedosh për taktikë është e pamundur, e rëndësishme është që çunat të mos humbin kondicionin fizik. Pasi nëse fillon kampionati, nëse e fillojmë gjithmonë, do të mendojmë për anën taktike.

Nëse mbyllet tani kampioanti? Ne jemi me objektiva dhe nuk do të më vinte mirë se është luftë e çdo ekip duhet të ketë të drejtën të luajë deri në fund, edhe pse do të na leverdiste. Jemi aty ku jemi për gabime që kemi bërë se duhej të ishim në vend të dytë, por ekipi ka bërë një sezon shumë të mirë dhe ndonëse duhej të ishim në vendin e dytë. Nëse vazhdojmë i kemi forcat që të shkojmë aty ku e meritojmë.

Puna më e vështirë është për sulmuesin dhe portierin se janë specifike. Janë dy pikat më delikate. Por jemi të dorëzuar para këtij fakti. Edhe ne si çdo ekip tjetër, do të përgatitemi me kushtet që kemi”, përfundoi trajneri shkodran. /vipsport.al/