Edhe një muaj pa ndeshje/ FSHF nuk parashikon fillimin e kampionatit para majit, tifozët në varësi të situatës

Mendja tashmë është e gjitha në luftën kundër COVID-19 me shpresën që duke respektuar masat e marra dhe duke kufizuar lëvizjen, e mbyllur pjesën më të madhe të aktiviteteve, virusi famëkeq do të zhduket shpejt. Megjithatë, nuk mund të mos mendohet dhe të mos përgatitesh edhe për pjesën kur e gjithë kjo të mbarojë.

Kështu, po ndodh edhe me futbollin, që për momentin prej disa kohe është i ndalur. Së fundmi, FSHF, me shpresën se situata do të përmirësohet dhe nuk do të jetë nevoja për të përfunduar para kohe kampionatin, ditën e sotme i ka propozuar klubeve datat që mund të luhen 10 ndeshjet e mbetura të Superiores.

Në kalendarin e propozuar ditën e sotme, bie në sy se edhe muaji prill është i gjithi pushim, pa ndeshje futbolli. Data më e afërt për rifillimin e kampionatit është ajo e 2 majit, më pas 10 apo 17 maj si opsione, me kampionatin që në varësi të këtyre datave do të përfundonte më 27 apo 28 qershor. Megjithatë, çdo gjë është në varësi të situatës nga COVID-19, me shpresën që kjo do të përfundojë mirë dhe pa pasoja të mëdha.

Ndërkohë, për arsye sigurie duket e vështirë që tifozët të rikthehen në stadiume menjëherë sapo ato të hapen, por në vazhdimësi mund të ndryshojë dhe shkallët të mbushen sërish nëse nuk do të paraqitet rrezikshmëri dhe gjendja do jetë e stabilizuar. /VipSport.al/