E konfirmon prestigjozja italiane: Hysaj do largohet nga Napoli, Mario Rui fiton balotazhin me të

Elseid Hysaj dhe Napoli do të ndahen pas daljes nga karantina. Shkodrani prej merkatos së kaluar është folur se do të ndërrojë skuadër, por ajo që është nisur verën e shkuar do të përfundohet tani. Prej shkurtit diskutohet se Hysaj mund të rinovojë me Napolin, por deklaratat e agjentit të tij dhe raportimet e fundit të medieve të mëdha italiane na bindin se Elseidin do e shohim të veshur me ngjyra të tjera sezonin e ardhshëm.

“Corriere dello Sport” ditën e sotme raporton se Napoli ka vendosur në lidhje me të ardhmen e yllit të kombëtares sonë. Ata do e shesin Hysajn në verë për tu munduar të nxjerrin sa më shumë të ardhura në këmbim të tij. Mbetet të shohim se ku do të shkojë Hysaj, teksa verën e shkuar kishte një ofertë nga Atletiko Madrid. Gjithsesi madrilenët morën Tripier dhe mbetet për tu parë nëse Simeone ka akoma interes për të.

“Corriere” shton se Mario Rui do të qëndrojë me Napolin dhe shihet si një lojtar, i cili ka më shumë se Hysaj për të dhënë në ekipin e Gatuzos. Ai tashmë ka fituar besimin e tifozëve dhe drejtuesve, duke fituar duelin me Hysajn. /vipsport.al/