Drejtori sportiv i Kukësit, Nexhipi: Ndërprerja do na ndihmojë në sprintin final, besoj te titulli

Drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi, i ftuar në emisionin “Fun Zone” në Supersport shprehet se kjo periudhë ndërprerje e kampionatit i shkon për shtat verilindorëve për shkak të dëmtimit që kishin disa futbollistë titullarë, të cilët më pas do jenë gati për sprintin final. Drejtori Nexhipi, tha se beson te titulli pasi kanë mbetur edhe 10 ndeshje, duke pasur edhe një ndeshje direkte me Tiranën rivale.

Situata? “Është një moment i vështirë, nga ata që ndodhin shumë rrallë, por më vjen mirë që autoritetet reaguan shpejt dhe ndalën futbollin, pasi në këto çaste vëmendja duhet të përqendrohet te shëndeti i njerëzve”.

Ndërprerja në momentin e mirë për Kukësin? “Në fakt nuk po kalonim aspak një moment të mirë dhe kjo kryesisht për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme dhe pezullimeve me kartonë, pasi prej kohësh nuk po luanim me formacionin më të mirë. Besoj se kjo periudhë do të na ndihmojë të rikuperojmë të gjithë lojtarët dhe të jemi gati për sprintin final”.

Opsioni i play off? “Me aq informacione sa kam unë, UEFA ka vendosur që të gjithë kampionatet të përfundojnë Brenda 30 qershorit dhe besoj se kemi kohë mjaftueshëm të mbyllim kampionatin rregullisht, duke parashikuar edhe një rifillim në javët e fundit të prillit apo të parat e majit”.

A ndikon ndërprerja e kampionatit te forma e futbollistëve? “Sigurisht që edhe ky është një aspekt për t’u marrë në konsideratë, por mendoj se djemtë janë seriozë dhe po mundohen të ruajnë formën edhe gjatë kësaj kohe izolimi, ndërsa shumë shpejt do të rifillojmë edhe stërvitjen, për të qenë në formë sa më të mirë në fazën finale të kampionatit”.

Kalendari i ngjeshur kur të fillojë kampionati. Kukësi ka formacion titullar të mirë por çalon stoli? “Unë mendoj se kemi një organikë të plotë dhe jo vetëm 11 lojtarë. Mendoj se çdo lojtar i yni është i aftë të luajë në formacion, ndaj them se do ta përballojmë më së miri”.

Çfarë nuk ka shkuar deri tani te ky sezon për Kukësin? Besoni te titulli? “Unë mendoj se kemi bërë një sezon të mirë dhe për një farë kohe ishim edhe të shkëputur në krye, por më pas erdhi Tirana, që po bën mjaft mirë dhe ka fituar shumë ndeshje radhazi, duke u shkëputur në krye. Besoj te titulli, pasi kemi edhe 10 javë për të luajtur, mes tyre edhe ndeshje direkte me Tiranën, ndaj nëse bëjmë edhe ne të njëjtën gjë si ata, duke fituar shumë takime radhazi, titulli nuk është i pamundur”, tha Nexhipi. /VipSport.al/