Drama e zëvendëstrajnerit të Kombëtares: Çdo ditë më telefonojnë për miq që kanë vdekur

Serxhio Porrini duhej të ishte në këto ditë në grumbullimin e Kombëtares shqiptare të futbollit, duke përgatitur kuqezinjtë përkrah Edi Rejas për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Por për fat të keq, zëvendëstrajneri i përfaqësueses shqiptare, tani e sheh veten në mes të zonës së kuqe në Itali, në atë që është krahina më e prekur nga koronavirusi.

“Unë jam në Krema pasi jam i lindur këtu, jam pikërisht në qendër të zonës ku nisi gjithçka. Sigurisht që jemi të gjithë të mbyllur në shtëpi dhe të bindur se vetëm kështu do të mund të zgjidhen gjërat”, shpjegoi ish-lojtari i Juventusit në një intervistë në Itali.

Përtej Adriatikut, edhe pse po përjetohet një emergjencë e tmerrshme shëndetësore, përsëri vazhdojnë të diskutojnë për rifillimin e ndeshjeve, por Porrini tregon se mes kësaj drame, është e pamundur që të flitet për futboll.

“Në këtë moment është e vështirë të flasësh për futboll, rreth dy javë më parë kisha folur edhe unë por duket se nuk ishte edhe aq e qartë situata. Edhe unë isha i prirur ndaj një kampionati që duhej të mbyllej. Por tani çdo ditë marr telefonata që më lajmërojnë për miq që kanë vdekur. Edhe nëse kampionati do të rifillonte në maj, do të ishte diçka e sforcuar, ndaj aspak e bukur dhe e pakëndshme edhe për ata që janë të dhënë pas futbollit.

Ky virus po lë me të vërtetë shenjë te ne. Sipas meje duhet me të vërtetë të fillohet të mendohet për vitin e ardhshëm. Kjo është një goditje e rëndë për çdo klub futbolli, por gjendemi përballë një situate që është më e madhe se sa sporti. Sipas meje duhet të mendojmë për sezonin e ardhshëm”, tha Porrini. /vipsport.al/