Dibala tregon vuajtjen nga Koronavirusi: Pas 5 minutash ndihesha i vdekur, më mungonte ajri

Paulo Dibala ishte futbollisti i tretë në klubin e Juventus i diagnostifikuar me COVID-19. Sulmuesi argjentinas ka qenë prej ditësh në karantinë dhe duhet të vazhdojë ende izolimin, ndërsa më datë 31 mars do të bëjë një tjetër test për të parë nëse virusi është zhdukur. Së fundmi, numri 10 i Zonjës së Vjetër, ka treguar edhe të gjithë peripecitë që kaloi nën ndjesinë e infeksionit nga COVID-19.

“Jam mirë, shumë më mirë pasi disa ditë më parë ndjeva simptoma shumë të forta. Sot nuk kam simptoma dhe jam mirë. Mund të lëviz më mirë, po bëj xhiro dhe po mendoj të stërvitem nga pak. Në këto ditë më mungonte ajri, nuk arrija të bëja dot asgjë. Pas pesë minutashë lëvizje ndihesha i vdekur, e ndjeja trupin shumë të rëndë dhe duhej të ndaloja. Por, jam mirë, ashtu si edhe Oriana”, u shpreh Dibala.

Në fund, sulmuesi ka treguar edhe momentin më të bukur me fanellën e Juventusit. “Është goli i fundit ndaj Interit, edhe pse ishte stadiumi i boshatisur. Festova me shokët, ishte një ndeshje e jashtëzakonshme. Me Ramsej merremi vesh, sapo mora topin e dija se mund t’i fitoja kohën Handanoviç. Ishte një gol i bukur”, përfundoi Dibala. /VipSport.al/