De Biazi: E tmerrshme me gjithë këta të vdekur, futbolli nuk është prioriteti tani

Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, e pranon se kjo situatë që po kalohet në Itali, ka vënë në provë durimin e shumëkujt. Ai ka treguar se po mundohet që të evitojë në mënyrë absolute të shkëputet nga lajmet, por e ka të pamundur.

“Po mundohem të izolohem nga bota e jashtme, mundohem të kapem pas gjërave pozitive, por është e vështirë. Gjithë këta të vdekur janë diçka e tmerrshme”, tha ai për mediat italiane.

Ndërkohë, në këto momente krize po mendohet edhe për jetën pas koronavirusit, ndonëse De Biazi nuk e sheh si prioritet. “Futbolli është një nga bizneset që udhëheqin ekonominë italiane, ndaj është e drejtë që qeveria të ndërhyjë për ta ndihmuar. Sigurisht, duhet bërë një diferencim mes klubeve të Serisë A dhe atyre të ligave të vogla, të cilat kanë probleme edhe në situate normale. Duhet gjetur një mënyrë për të dale nga ky tunel pasi futbolli u mundëson mijëra njerëzve që të jetojnë”, shpjegoi ai.

“Rifillimi i kampionatit? Nuk është prioriteti në këto momente. Mund të bëhen zgjedhje të tjera. Për shembull mund të ngrihen kampionatet e fillohet menjëherë nga sezoni i ardhshëm, pa u dhënë titulli kampion. Unë do t’i jepja UEFA-s skuadrat e kualifikuara në Champions dhe Europa League, ndërsa do të gjeja një sistem për të rregulluar skuadrat që bien e ngjiten. Sigurisht, të gjithë nuk do të ishin të lumtur, por në këtë situatë emergjence, gjëja më e rëndësishme është shëndeti”, tha De Biazi. /vipsport.al/