Covid-19/ Ndryshe nga Shqipëria, Kosova akordon 5 milionë euro për shpëtimin e futbollit

Futbolli në vendin tonë dhe në Kosovë është shumë e lehtë të prekë fundin, pasi është vetëm pak mbi të. Koronavirusi është gati t’i japë të shtyrën finale për të sjellë kapitullimin, por në Kosovë duket se e duan futbollin dhe ndihmojnë për të mos e hedhur në tapet sportin e dashur të tyre.

Ndryshe nga Shqipëria, që vjen nga trauma e rëndë financiare e tërmetit dhe një vështirësi për të gjetur fonde në ndihmë të përballimit të situatës emergjente në vend prej koronavirusit, Kosova ndihet më e shëndetshme dhe ka akorduar një shumë të konsiderueshme parash për të ndihmuar klubet të shmangin kolapsin.

Federata e Futbollit të Kosovës ditën e sotme ka njoftuar se Ministria e Sportit ka akorduar një fond prej 5 milionë eurosh në ndihmë të klubeve dhe janë në pritje të një reagimi financiar të UEFA-s dhe FIFA-s në lidhje me këtë emergjencë.

Njoftimi i FFK:

Federata e Futbollit e Kosovës është duke e ndjekur më vëmendje situatën e përgjithshme rreth pandemisë së Coronavirusit Covid-19 në vendin tonë, e veçmas situatën e klubeve dhe të gjithë të përfshirëve në futboll në këto rrethana.

Drejtuesit e FFK-së janë në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n dhe çdo veprim sa i përket çështjes së rifillimit të kampionatit do të bëhet në koordinim të plotë me organet e futbollit evropian.

KE i FFK-së është i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ballafaqohen klubet në këtë periudhë, duke pasur parasysh se pandemia Covid-19 ka pasur efekte edhe në ekonominë e vendit dhe rrjedhimisht edhe tek ata që i mbështesin klubet në aspektin financiar.

Natyrisht se FFK do të bëjë çmos për të bërë më të mirën e mundshme që të ndihmojë në këtë aspekt dhe shpresojmë se përkrahja financiare nuk do të mungojë as nga institucionet e futbollit evropian e botëror.

Megjithatë, tash për tash UEFA ende nuk ka ndarë ndonjë fond për t’i ndihmuar federatat e saj anëtare. Prandaj, në situatën në të cilën ndodhemi lusim të gjithë futbollistët, punëtorët sportivë dhe investitorët e klubeve që të kenë konsideratë për njëri-tjetrin dhe të jenë solidarë, pasi po jetojmë në rrethana emergjente ku po thuajse është ndërprerë gjithçka në tërë botën dhe primare është shëndeti dhe luftimi i përhapjes së pandemisë.

Gjithsesi, FFK do të mundohet në të gjitha format që të jetë afër klubeve, futbollistëve dhe punëtorëve sportivë për çdo gjë që është në kompetencën dhe mundësitë e saja. Shpresojmë që kampionati nuk do të shtyhet më shumë se sa data që është dhënë nga UEFA, megjithëse presidenti Çeferin qysh në fillim ka deklaruar se janë të përgatitur për planin A, B dhe C, andaj edhe FFK do t’i ndjekë rekomandimet dhe hapat e UEFA-s.

Me këtë rast FFK falënderon Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport për ndarjen e 5 milionë eurove si pako emergjente për sport, derisa bizneset që investojnë në klubet e futbollit i njoftojmë se mund të aplikojnë për mbështetje në fondin e ndarë nga Qeveria për bizneset private. Mbesim me shpresë se këtë gjendje do ta kalojmë sa më shpejt dhe të gjithë së bashku do t’i rikthehemi fushës së gjelbër dhe emocioneve që na jep futbolli. Deri atëherë ju këshillojmë t’i ndiqni udhëzimet e institucioneve tona dhe të qëndroni në shtëpi në mbrojtje nga armiku i padukshëm Covid-19.

Për çdo lëvizje të re opinioni do të njoftohet me kohë!

Po ashtu, ju rikujtojmë se administrata e FFK-së është duke vazhduar punën online, derisa puna e rregullt do të rifillojë atëherë kur krijohen mundësitë dhe kur rifillojnë punën e rregullt institucionet e Kosovës dhe UEFA. /vipsport.al/