Bulku: Shkëputja e gjatë problem, kam komunikuar me Rejën e Porrinin

Ervin Bulku ka një karrierë të spikatur si lojtar, me Tiranën, por edhe jashtë, në Ukrainë, Kroaci, Azerbajxhan dhe Iran. Në fund e mbylli në shtëpi, ashtu siç i ka hije një kampioni, te Tirana. Në një prononcim që ka dhënë në emisonin “Fun Zone” në “Supersport”, Bulku ka folur tashmë edhe si specialist futbolli, ku është ndalur te situata e pezullimit të garës dhe ndikimi që ajo do të ketë. “Nëse shkëputja do të ishte dy javë, nuk do të ishte problem i madh se në këto dy javë lojtarët janë stërvitur në kushtet e shtëpisë, ka nga ata që kanë edhe oborre e ambiente jashtë”.

Programet

I pyetur duke qenë se është në stafin kuqezi, se çfarë strategjie po ndiqet me lojtarët në këtë periudhë, “Uku” shtoi: “Janë lojtarët e Kombëtares A që kanë programet e tyre nga ekipet, disave u kanë dërguar biçikleta trajnimi në shtëpi, apo elementë për forcën, bashkë edhe me programin. Por ka edhe si Gjimshiti i cili jeton i vetëm në  Bergamo dhe po qëndron në kompleksin e klubit të Atalantës. Bashkë me disa të tjerë qëndrojnë brenda kompleksit e stërviten 2 nga 2 e po zhvillojnë stërvitjen normalisht”.

Reja

Ervin Bulku që është edhe krahu i djathtë i italianit, Edi Reja, foli edhe për komunikimet që ka pasur me të në këtë periudhë, duke shtuar se: “Trajneri Reja fatmirësisht është në një zonë që nuk është prekur shumë. Serxhio Porrini është te zona e kuqe e koronavirusit në Itali. Por të gjithë janë shëndosh e mirë, janë ata me familjet e tyre. Me trajnerin komunikojmë çdo 2-3 ditë, kanë dy javë të izoluar bashkë me bashkëshorten dhe familjen”.

/VipSport.al/