Arrati nga Europa, portieri i PSG paguan një shifër të çmendur për t’u kthyer në atdhe

Shpërthimi I pandemisë me shifra të frikshme në Europë, duke kthyer kryeqytetet e shteteve më të mëdha në qendra infeksioni, ka shtyrë shumë persona që të udhëtojnë larg këtij kontinenti. Futbollistët kanë qenë ata që e kanë ndjekur më shpesh këtë rrugë, por me fluturimet e ndaluara thuajse kudo, janë detyruar që të sigurojnë udhëtime private për të cilat kanë paguar qimet e kokës.

Kështu ka bërë edhe portierii i PSG-së, Kejlor Navas, i cili zgjodhi që të largohej nga Parisi për të shkuar në Kosta Rika, ku ka familjen e tij dhe të bashkëshortes, Andrea Salas. Sipas ESPN, ish-portieri i Real Madrid ka udhëtuar në natën e 27 marsit drejt vendlindjes me një fluturim privat që i ka kushtuar shumë shtrenjtë. Ai ka paguar 200 mijë dollarë për të udhëtuar bashkë me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët e tyre nga Parisi në San Hoze.

Sigurisht, pasi kanë mbërritur në vendlindje, edhe ata u janë nënshtruar rregullave të autoriteteve vendase, duke hyrë menjëherë në karantinë në shtëpine e tyre të izoluar 14 ditë, pasi vinin nga një nga vatrat e infeksionit në botë, siç cilësohet tani Parisi. /vipsport.al/