Anderlehti i kërkon Abazajt të heqë dorë nga rroga, në verë e cilëson të larguar

Ky duhej të ishte viti i konfirmimit të Kristal Abazajt dhe kthimit në nivelet më të larta me Kukësin, por sezoni po mbyllet në mënyrën më të çuditshme për lojtarin dhe më pasigurinë e të ardhmes. Abazaj u kthye në Shqipëri për të ringjallur karrierën e tij pas një trajektore jo shumë të suksesshme te Anderleht. Por edhe pse ai u kthye në formë të mirë sportive me verilindorët, po e mbyll sezonin me klubin që i kërkon të heqë dorë nga rroga e tij dhe me sigurinë thuajse të plotë se do ta shesë për çfarëdo shifre në verën e këtij viti.

Klubi i Anderleht, duke marrë për bazë krizën si pasojë e koronavirusit, u ka kërkuar të gjithë lojtarëve që ka në zotërim që të heqin dorë nga rroga e një muaji si fillim, në mënyrë që klubi të arrijë të paguajë stafin e brendshëm në mënyrë të rregullt. Ndërkohë, janë shkarkuar nga puna pjesëtarë stafi që nuk janë cilësuar të domosdoshëm, si një zëvendëstrajner i ekipit të pare. Në listen e lojtarëve të cilëve u kërkohet që të sakrifikojnë si fillim rrogën e një muaji janë edhe ata të cilët janë dhënë në huazim por që paguhen përsëri nga klubi belg, si në rastin e Abazajt i cili pjesën më të madhe të rrogës së tij të këtij sezoni e përfiton nga Anderlehti.

E ndërsa pret përgjigjen e Abazajt, gjithsesi Anderlehti i ka bërë planet pa të për vijimësinë. Sipas mediave belge, klubi ka vendosur të nxjerrë në shitje të gjithë lojtarët që nuk i sheh si pjesë e planeve të të ardhmes, edhe me kosto të ulët. Në këtë mënyrë pret që të shpëtojë nga rrogat e lojtarëve apo kostot për jetesën e tyre në Belgjikë. Kështu, më shumë se 10 lojtarë që janë dhënë huazim në sezonin e fundit, përfshirë edhe Abazajn, do të shiten në verë pasi klubi kërkon me çdo kusht që të sigurojë të ardhura, për të rikuperuar sadopak nga goditja ekonomike e këtij sezoni si pasojë e koronavirusit, /vipsport.al/