22-vjeçari i Ajaksit përmirësohet pas daljes nga koma, i vëllai: I pëlqen të shohë futboll

Përgatitjet verore të vitit 2017 për sezonin e ri, rezultuan fatale për futbollistin e Ajaksit, Abdelak Nuri. Gjatë sfidës miqësore me Verder Bremen, lojtari pëson një atak kardiak, si dhe një dëmtim në tru për shkak të mungesës së oksigjenit. Thuajse për një vit, Nuri qëndroi në gjendje kome. Mirëpo, për 22-vjeçarin erdhën lajme pozitive në vitin 2018 teksa doli nga gjendja e komës, edhe pse vazhdonte të ishte i pandërgjegjshëm.

Megjithatë, tashmë me kalimin e kohës, Nuri është përmirësuar dhe është kthyer në shtëpinë e tij. Vëllai i futbollistit tregon se në disa momente ai arrin të komunikojë me të afërmit duke lëvizur vetullat, ndërsa tregon emocione dhe se i pëlqen të shohë ndeshjet e futbollit. “Duhet ta pranoj se tashmë që është në shtëpi, është shumë më mirë se në spital. Ai e di ku është, është kthyer sërish në një ambient familiar.

Tashmë, nuk është më në koma. Është zgjuar, ushqehet, gërhet, fle gjumë. Por, nuk mund të ngrihet nga shtrati. Në ditët më të mira kemi komunikim, si përshembull një konfirmim me vetull, apo buzëqeshje. Por, kjo nuk zgjat shumë. Ne flasim me atë sikur të mos jetë i sëmurë, dhe e çojmë të shohë futboll në dhomën e ndenjës. Ai shikon futboll dhe dallohet që i pëlqen shumë. Ndonjëherë bëhet emocional dhe na buzëqesh. Kjo na bën ne ta vlerësojmë shumë një buzëqeshje”, u shpreh vëllai i Nuri. /VipSport.al/